Gëzim AJGERAJ
SIMBOLIKA E DHEMBJES E DHE QËNDRESËS KOMBËTARE
Brahim AVDYLI: ”Baraspesha e humbur”, poezi, botoi Shtëpia Bo-tuese “Qëndresa”, Gjakovë, 2003
Në vend të hyrjes
Ajo që më së shumti të bie në sy duke lexuar vargjet e poetit Brahim Avdyli, është ndjenja e fuqishme e dhembjes për fatin dramatik të shqiptarit dhe përkushtimi i përhershëm për të ushqyer qëndresën kombëtare, pra për të ngadhnjyer mbi këtë dhembje. Mjafton të lexohen tre librat e fundit të tij, me poezi “Klithje nga fundi i ferrit” 1997, “Gjuha e dheut tim” 1999 dhe “Baraspesha e humbur” 2003 që të përceptosh këto dy aspekte të poezisë së poetit Brahim Avdyli, që të bëjnë të meditosh vorbullën e madhe të fatit të shqiptarit dhe përpjekjen e tij të pandalur për të ngadhnjyer mbi Të Ligën. Dhembja nuk i ndahet shqiptarit asnjëherë nëpër kohë, por qëndresa e tij është poashtu e vazhdueshme, deri në sendërtimin e aspiratës shekullore për liri, që për poetin nënkupton zgjidhjen e drejtë të çështjes kombëtare.
Në fakt, të gjithë librat poetik të këtij autori janë dëshmi e fuqishme e dhembjes për kombin dhe fatin e tij, sikurse e ushqimit të qëndresës sonë deri në mbijetesë. Fati i poetit identifikohet me fatin e popullit të tij që kaloi padyshim nëpër katrahurat e tmerrshme të kohëve. Klithmat e poetit janë klithmat e ndërgjegjes së popullit të tij që shtresohen deri në fund të ferrit, nëpër të cilin kaloi populli i ynë. Vetë poeti i takon Brezit `81, brezit që përgaditi ngjarjet e mëdha të këtyre dy decenieve, brezi që u godit pamëshirë nga dhuna, përndjekja, armiqtë e lirisë së kombit shqiptar dhe veglat e tyre, por që me ndërgjegje të lartë njerëzore dhe qytetare u bëri ballë të gjitha këtyre sfidave dhe ushqeu pandërprerë qëndresën tonë kombëtare, sikurse luftën për liri.
Prandaj vetëkuptohet se gjuha e dheut të poetit, është parasegjithash gjuha e dhembjes, është gjuha e qëndresës, është gjuha e luftës për vetëmbrojte, për liri, me të cilën mbi-jetuam nëpër kohë.
Frymëmarrja e kohës sonë
Koha për të cilën flet poeti në librin e tij “Baraspesha e humbur” 2003, është koha brenda të cilës sot përpëlitemi. Poeti ec në hap me kohën, me ngjarjet dhe dukuritë që e karakterizojnë atë. Ndjenja e tij e ndërgjegjshme lufton dukuritë e shëmtuara të kësaj kohe, ndërsa në pasqyrën e shpirtit të poetit rekflektohen sinjale të fuqishme të së ardhmes sonë të mundshme dhe të dëshiruar. Është vizioni i poetit busolla orientuese nëpër kohë, me të cilin vargu i tij e mat kohën dhe na sugjeron se kah duhet të shkohet, për ta mundur Të ligën. Është vendosmëria poetike e një vizioni të pastër, i cili, pavarësisht nga ligësitë që e përcjellin popullin e tij, poetin dhe vargun e tij, me vendosmëri të pathyeshme, përballet me kohën, sado e ashpër dhe e pabesë që të jetë ajo. Janë virtytet e larta njerëzore dhe kombëtare ato që mbrujnë vargun e këtij libri, sikurse të librave para tij. Ky varg buron pikësëpari nga fryma liridashëse e popullit shqiptar, të shkelur me dhunë, të ndarë e të persekutuar, të nëpërkëmbur e të shpërngulur nga trojet e veta legjitime përgjatë shekujve, por kurrë të nënshtruar tërësisht, nën asnjë pushtues dhe nën asnjë shovenizëm barbar, madje as nën politikat mashtruese. Qëndresa e tij ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e mbijetesës, boshti rreth të cilit është zgjuar kur-doherë ndërgjegja e tij kombëtare, është ngritur vetëdija, është ngjallur përkushtimi për liri. As nëpër kohërat kur dhelpra plakë është caktuar të bëjë ligjin, kohëra këto që paralajmërojnë ligësi të reja, si kjo e sotmja, nuk ka vend për letargji.
“Qëndro i pafjetur, deri sa të gdhijë, Agu që nuk ngryset”- porositë poeti, shpirti dhe fjala e të cilit bëjnë roje mbi fatin e hidhur të Atdheut e të popullit të tij “ në mendimet e gjalla, për të nesërmen e lirë!” (Rojtar i ditëve, 115).
Shtegtimi i poetit është shtegtimi i përpjekjeve për liri. Përmasat e këtij shtegtimi shtrihen nga e kaluara e hidhur, atëherë kur sundonte tërësisht E liga, deri në ditët tona të “lirisë së cunguar”. Ky shtegtim, me të gjitha alternativat e këngës, zhvillohet me një synim të lartë njerëzor e kombëtar, apo siç thotë poeti, për të ndihmuar ëndërrën e njeriut tonë “që të mbijë e gjelbërt/ në fushën e hapur të përpjekjes”, duke vrapuar:
…“ ditë e natë përmbi dallgë
me këmbët e qullura të këngës
diellin e fshehur për të zënë
përtej reve të mbarsura në vetëtima!”
(Përmasat e shtegtimit, fq. 16-17).
Nuk do mend të kuptohet se ky shtegtim promethean është bërë për të ardhmen e lirë të kombit shqiptar. Brenda vargut të këtij libri merr frymë e sotmja, me të gjitha dukuritë që e karakterizojnë atë. Poetin e shqetëson me të drejtë kuaziliria, nëpër të cilën po marrim frymë dhe për të cilën u bënë aq sakrifica të dhimbshme. Përqëndrimi i poetit nuk tejkalon asnjë dukuri me peshë e që duhet fshikulluar, për të arrirë në epiqendër të një realiteti të hidhur, në të cilin, Kryedemoni:
…”përsëri po shitet
nën petkat e orakullit!…”
ai që:
…”mjegullën e verbërimit
e quan shteg të urtisë
duke dashur të na kthejë
në stinën e kaluar
të dhembjes së pafund…”.
(Kryedemoni, fq. 43).
Duke e përjetuar këtë kohë, ashtu siç është dhënë, me detaje të gjalla e të zgjedhura, lexuesi e ka të patjetërsuar të meditojë mbi shtigjet e nëpër të cilat mund të sendërtohet ëndërra jonë e madhe: liria, bashkimi kombëtar, e ardhmja më e bukur dhe më e sigurtë. Lexuesi duhet të mendohet përse ka humbur baraspesha, drejtëpeshimi edhe në këtë kohë, çka i mungon të sotmes që nuk është ashtu siç e kemi dëshiruar, që nuk ka ardhur ashtu siç e kemi pritur, ashtu siç ka qenë dashur të vie. Të gjitha këto enigma I zbulon plot ngjyresa poezia e këtij libri. Përmes tyre koha jonë merr dime-nsione të gjalla dhe kjo na bën të mendojmë më realisht, më racionalisht.
Ngjyrat e dhembjes
Brenda vargut të poetit Brahim Avdyli shtrihet dhembja dhe bukuria e fjalës artistike. Me to rritet kopshti i dashurisë për popullin e tij, për dheun e shenjtë të tokës stër-gjyshore, për Atdheun, i cili frymon fuqishëm kudo nëpër vargjet e poetit. Kjo dashuri e pashuar është lajtmotiv kryesor i vargut poetik, është motivi që poetin e nxitë të thurë vargje, të shpalosë përmes tyre dhembjen e popullit të tij, dëshirat, aspiratat, synimet, me të cilat ngrihen shpresat e pashuara për një të ardhme të lirë, të bukur e të përparuar. Është pikërisht ndjenja e pastërt e dashurisë ajo që e bën të përjetojë e të shpreh dhembjen, ajo që me këtë dhembje e nxit poetin të ushqejë qëndresën, ajo që e shtyn të prekë ndërgjegjen e shqiptarit apo të atyre që vendosin për fatin e tij, që e bën të klithë e të protestojë. Klithja e vargut të poetit është klithmë e dhembjes, është zë i fuqishëm i protestës, që vie plot logjikë mbi dhembjen, është thirrje për qëndresë. Kjo klithmë është kilthma e vargut të rritur në truallin e gjakut, që i mund dhembjet, që nuk pajtohet me ngecjet në rrugën e fatit të shqiptarit. Në varg ka dhembje sepse populli vuan, ka çaste pikëllimi sepse plagët e shqiptarit janë ende të freskëta, janë ende të mëdha, por ka etje sepse etja për të ardhmen e lirë është një ndjenjë e fuqishme, është një ndjenjë tejet e natyrshme për shqiptarin dhe poetin që përcjellë hap pas hapi fatin e tij. Kur populli vuan, vuan dhe poeti. Dhe po-pulli vuan edhe për shkak të gjeografisë së cunguar të trollit të vet. Cungimi, rrudhja, ngushtimi, copëzimi janë plagë të thella të tokës shqiptare, të cilat kushtëzohen nga cungimi i të drejtës themelore të lirisë së tij- bashkimit. Janë plagët ato që shkaktojnë dhembje, përjetimi i sinqertë i të cilave ushqen patjetër qëndresën, nëpër energjinë e të cilës prodhohet drita e shkëlqyer e lirisë. Sepse ajo nuk është vetëm një përjetim i bukur, i ëmbël. Liria është mbijetesë, drejtësi, ekzistencë. Liria është synim, ideal, detyrë, aspiratë. Ajo kërkon energji të caktuar për sendërtim. Liria është kurorëzim i tërësishëm i përpjekjeve shekullore të shqiptarit, që ndërlidhet me të drejtat e tij themelore. Poeti revoltohet mbi faktin se dikush merr guximin të pengojë, zvarrisë, nëpërkëmbë sendërtimin e tërësishëm të aspiratës më të ligjshme e më të natyrshme të popullit të tij- Lirisë, dhe pyet:
…“ç`kuptim i mbetet
kësaj fjale të vënë
vetëm sa për të thënë
në fjalorin e çoroditur
të mashtrimit!?”
(Cungimi i lirisë II, fq. 57).
Dhembja është përherë e ndërlidhur me qëndresën, bërthama e të cilës me vete e bartë përtëritjen tonë, mbijetesën. Kjo bërthamë e ka mbajtur gjallë “prushin e këngëve të pavdekshme”- thotë poeti-“nëpër dimrat e egër të dhembjeve”, dhe “ kërcyellin e ka ngjeshur… në murin e qëndresës sonë” (Dega e përtërirë, fq. 105). Ndërgjegjësimi vie nëpër dhembje, për të ushqyer qëndresën, “duke gëlltitur lotin e plasur… e zgjuar mendimet për të nesërmen” (Kasneci i zgjimit, fq. 101). Kjo përkon me të vërtetën hi-storike, sepse shqiptari asnjëherë nuk sulmoi të tjerët, nuk shkaktoi gjakderdhje për shkak të bindjeve të veta apo grykësisë. Shqiptari u ngrit në luftë kur ishte i sulmuar, i shtypur, kur dhembja e tij arrinte kulmin. Hulumtuar nga këto elemente që e ndërtojnë vargun e poetit Brahim Avdylit, ngjyrat e dhembjes e ngrisin vargun e tij në shkallën e një vetëdijësimi të plotë mbi realitetin jetik të shqiptarit, për të shtruar jo vetëm pamjet më tronditëse, por me simbolikën e një qëndrese të natyrshme për të trasuar shtigjet e lirisë. Këto dy dimensione të vargut të tij, pa e hulumtuar bukurinë e fjalës, elementet tradicionale që e ndërtojnë fjalën poetike, figuracionin, stilin etj, e ngrisin edhe më lartë vlerën e vargut poetik. Dhe-mbja, si ndjenjë e fuqishme që e përcjellë atë, brenda të cilës pipon e rritet “kopshti i bukurisë”, është vet fati i njeriut tonë. Kjo dhembje vie të shumtën si përcjellëse e hapave të shqiptarit nëpër kohë, por ndonjëherë edhe si burim i shterrur udhëve të fatit. Nuk është vetëm fati i poetit që e kanë katëndisur vitet “në një pikë vetmie”. Rrotullimi ynë “Rrathëve të ferrit”, kalon doemos pranë ndonjë burimi të shterrur dëshirash, zbrazëtirave të së cilit janë rritur vetëm “drizat e egër të etjeve!” (Burim i shterrur, fq. 12 ). Aq më tepër kur ndonjëherë mbijetesa na vie më tepër si fat, se sa vetëdije e formuar dhe e ngritur kombëtare. Ecja jonë alternative nëpër rrathët e ferrit, jo rrallë kush mbarë e kush së prapthi, për-jetohet me pikëllim të thellë nga poeti, që vie si rrjedhojë e kësaj ecje, brenda të cilës, nuancat poetike e vëzhgojnë kohën në kornizat e një baraspeshe të humbur. Është e natyrshme që ky ekuilibër i lëkundur ndërlidhet me ndjenja të pikllueshme. Poetin nuk e shqetëson vetëm ajo që po ndodhë, por fati dhe fatkeqësia e kombit në tërësi. Për atë që e peshon me përgjegjësi dhe ndërgjegje të plotë kohën, ka peshë jo vetëm ajo që ndodhë, por edhe ajo që do të duhej bërë e nuk është bërë. Derisa lëngon tërësia gjeo-grafike e Atdheut, lëngon natyrisht shqiptari dhe shpirti i poetit.
Në situata të tilla, duket sikur:
…”As vrimë nuk gjen
për ta plasur lotin-
rrjedha e ditëve bëhet
kortezh i pangjyrë
i hapësirës së ndrydhur…”
(Lëvozhga e pikëllimit, fq. 14).
Është ecja alternative ajo që herë herë gjeneron krizën, nga e cila vuan jo vetëm mendimi, veprimi, por edhe arti. Poezia, thotë poeti:
“Është krasitur nga metaforat,
nga përkushtimet serioze
të mendimit për të nesërmen…”
(Kriza e poezisë, fq. 15)
Kjo gjendje padyshim zgjon dhembje, keqardhje, shqetësime. Megjithate, ai nuk ma-shtrohet “nga vezullimet/e përkohshme/në hapësirën e ndrydhur”. Ai mbetet vigjilent, për të mos u pajtuar me ligësinë e kohës, “duke ndjellë Agun /me frymën e pëlcitur / fletëve të territ”. (Alternativa I, fq. 18). Shpesh ecja jonë përceptohet si lëvizje që ndryshon nëpër kohë. Ajo ka qenë jo rrallë lëvizje alternative. Energjia e përpjekjeve të shqiptarit shpesh nuk ishte e koncentruar dhe me të njëjtin intensitet. Ndoshta edhe për këtë arësye nuk kemi arritur të sendërtojmë aspiratën shekullore të lirisë e të ba-shkimit kombëtar. Sepse, jo rrallë është cenuar tërësia nën petkun e mjegullt të do-mosdoshmërisë, konsideron poeti. Karrierizmin e sëmurë të “ndërtuesve egoistë të prapaskenave” nëpër të cilat është cënuar liria dhe dinjiteti i shqiptarit, apo tërësia e përpjekjeve të tij, autori e fshikullon pa mëshirë, i bindur se:
…” koha do t`i shembë
patjetër një ditë
idhujt e fitores së paqenë!…”
(Baraspesha e humbur IV, fq. 38)
Poeti gjithmonë përpiqet për realizimin e dëshirave, aspiratave, ëndërrave shekullore të popullit të tij të shumëvuajtur. Me nuancat e vizionit të tij, përmes përjetimit dhe transmetimit të një realiteti të kapshëm e konkret, arrin në këtë përfundim që duhet të jetë kurorëzim i të gjitha këtyre përpjekjeve. Forma kulmore e paraqitjes së këtij rea-liteti është pasqyra më e saktë e transmetimit të parashikimeve, të porosive, me peshë të madhe për sendërtimin e idealeve njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve.
Por, pamundësia e ndërhyrjes direkte të poetit në sendërtimin sa më të shpejtë të kë-tyre idealeve, na jepet përmes një ndjenje tejet të sinqertë e të fuqishme të keqardhjes, të shfajësimit të tij. Ai dëshiron dhe përpiqet pa ndërprerë për këtë ideal, vuan e për-pëlitet në vazhdimësi, e përjeton dhe e fshikullon fuqishëm ligësinë e kohës, por nuk mund të bëjë të pamundurën për Atdheun, për kombin, për faktin se shpesh fjala e tij, sado e sinqertë dhe e kuptueshme, nuk përfillet nga të tjerët:
…”vështirë të ngrehësh
bjeshkë mendimesh
që s`i dridh tërmeti-
aty ku s`përfillet,
ku s`të pranohet fjala…
Edhe baltë të jesh
është vështirë
kur të shkelmon E liga!
(Pamundësia, fq,25).
Drejtëpeshimi dhe sfidat
Kjo është një nga arësyet më të forta që e bën poetin të ndjehet i shqetësuar. Koha nuk pret. Ajo ikën me shpejtësi. Rrëshqitja e mundësive për sendërtimin e idealeve ko-mbëtare, për përmbushjen e amanetit të mija dëshmorëve që ranë nëpër shekuj në alta-rin e Lirisë, e godet pamëshirë poetin. Ndër ne shpesh nuk përfillet fjala e sinqertë dhe e drejtë, ajo fjalë që do të kishte ngritur padyshim “bjeshkë mendimesh”. Për këtë arë-sye, E liga ngritet “shtyllave të paturpësisë” e bredhë “nën petkat e rrejshme të li-risë”, ndërsa Juda qëndron prapa Diellit me sopatë në dorë (Baraspesha e humbur II, fq. 36), duke mos na lënë të marrim asgjë nga shporta e ditëve.“Në panteonin e shë-mtisë, po vihet shtylla e mbramë”- thekson poeti (Përmbyllja e një fillimi tragjik, fq. 48-49). Konseguenca e plotë mbi kohën e bën atë jo vetëm të shqetësohet, por të de-noncojë të pandërgjegjshmit, fajtorët, e të klithë deri në revoltë, në thirrje. Sepse:
…”babilonitë e përmbytura
nuk mund të ringjallen
mbi kockat e tretura të kombeve!”-thekson ai.
(Baraspesha e humbur III, fq. 37).
Në këto raste drejtësia vihet në sprovë, ndërsa nën emrin e saj fshihen maska të pudro-sura të cilat me përpjekje dinake e kërkojnë nënshtrimin tonë. Forca të caktuara përpi-qen të na kthejnë “në stinën e kaluar / të dhembjes së pafund”- konsideron poeti (Kryedemoni, fq. 43), derisa “lakejtë e dehur / të krenarisë së tepruar” belbëzojnë pa-kuptueshëm “në tryezën e shëmtisë” (Gogësimat e shëmtisë, fq. 53). Klasa e verbër nuk e dikton “paradën e suvatimit /nënqiellit të montuar / me xixëllimat/ e dritës së vjedhur / nga yjet e ëndrrës sonë!” (Përmbyllja e një fillimi tragjik, fq. 48-49). Për ironi, me politikë merren ende ata që poetit dhe brezit të tij ia nxorrën “shtatë dredhë mbi kurriz” (Pa titull 2, fq. 62) duke përzier “çorbën e mendimeve” apo “tepricën e fjalëve” në “kazanin e ditëve” (po aty). Zhvillimet që po ndodhin mbi themelet e li-risë, kanë përmasat e një shkëlqimi të rremë. Kohëve të turbullta, dihet fare mirë se përfitojnë vetëm ligësitë që ngriten shtigjeve të paturpësisë. Kjo është:
…”kohë e dreçit të verdhë
me fasadën e rrejshme
të bukurisë
që të gllabëron
e të përtyp ngadalë!…” – sinjalizon kuptueshëm poeti.
(Dreçi i verdhë, fq. 64).
Është e pamundur të jesh poet dhe të qëndrosh larg këtyre zhvillimeve dinake. Është drejtësia misioni poetik që i vë në baraspeshë këto zhvillime dhe i fshikullon pa-ndërprerë. Poeti, duke qenë vigjilent dhe i ushqyer nga ky mision i lartë njerëzor dhe kombëtar, me penën e tij i lufton ligësitë, proklamon një dritë tjetër, dritën e vërtetë- Agun që nuk shuhet! Vetëm duke qenë besnik ndaj këtij misioni, mund të lëkunden shekujt “mbi honet e thella të mesjetës!” (Baraspesha e humbur II, fq.36), duke pa-mundësuar që të kthehemi sërish “te fillimi i një ëndërre”, ku më parë “ripej i gjallë njeriu (Letër e vonuar Ernesto Çe Gevarës, fq. 47).
Ruajtja e drejtëpeshimit nëpër kohë të tilla, qëndrimi besnik ndaj idealeve dhe syni-meve të larta kombëtare, qëndresa përballë të gjitha sfidave të kohës, denoncimi efikas dhe me syqeltësi i ligësive që sjellin kohërat e turbullta, nxjerrja në shesh e anëve të errëta të zhvillimeve të sotme, ngritja e vetëdijës kombëtare dhe njerëzore në nivel më të lartë, qartësimi i shtigjeve nëpër të cilat mund të sendërtohet Liria, sinjalizimi i rre-ziqeve që na kërcënohen, etj. janë disa nga dimensionet ideo-estetike të librit poetik “Baraspesha e humbur” e poetit Brahim Avdyli.
“Ende gjuha e zjarrit
me profil tufanesh
kullën e nderit tonë
e mbështjell,…
ende tymos
kulmi i dhembjeve tona
nën qiellin e ngrysur
të stuhive,
ende po shemben
trarët e qëndresës së brishtë
nga goditjet e papritura
të rrufeve…”- na përkujton ai.
(Krenaria e rrënimit, fq. 45).
Liburnia jonë nuk u shpëton dot “kazmave të erës së përdalë”, e cila, e mbështjellë me profil tufanesh, përpiqet ta shpëtojë “shtyllën e ëndrrës së vet”, sepse Poseidoni ia ndërsen vazhdimisht dallgët “nga ishulli fqinjë i tradhëtisë” (Në vorbullën e ditëve, fq.29). Vetëkuptohet që nuk është e lehtë të ruhet drejtëpeshimi nëpër kohëra të tilla, sepse “ndonjëherë njeriu / humbet në pyjet e panjohura të mashtrimit”, apo nëpër labirinthet “e kështjellës së rafinuar të maskave” (Maskat e drejtësisë, fq. 32-33). Por, poeti i paralajmëron fuqishëm “ata që ndërtojnë diga / nëpër truallin e qenësisë” se “lumi i gjakut” prap mund të vërshojë “nëpër fushat e guximit/ e të përmbysë vdekjen dinake” (Lumi i shpresës, fq. 104). Ai e di se “shpirti i paepur” e mund “kryezotin e prapësive” dhe detet e lotëve i kapërcejmë me “fuqinë e frymëmarrjeve/ të ruajtura pastërt” (Shpirt i paepur, fq. 99-100). Prandaj, ndonëse i mërguar, i papërfillur sa duhet, apo i shtypur si çdo mërgimtar “në ishullin e vetmuar”, atje ku shpesh të “vi-dhet rinia e ëndrrave” apo “shtigjet e këngës mbyllen” (Dhembja e kohës së vdekur, fq. 31), poeti dëshmon se:
…“kapitullimin
për të gjallë
nuk e pranoj!”
(Luftë e humbur, fq.65).
Ky është boshti mbi të cilin ngrihet qëndresa. Shqiptari duhet të mbrojë çështjen e lirisë së tij me konseguencë, me fanatizëm, me qëndrueshmëri të patundur. Vetëm në këtë mënyrë ai do të jetë në gjendje të mposhtë përfundimisht Të ligën. Popujve që nuk e mbrojnë me fanatizëm të drejtën legjitime të tyre, historia u bëhet njerkë dhe i shkel përgjithmonë. Në fakt, ajo është treguar shekuj me radhë njerkë e pamëshirë për shqiptarin. Ne duhet të mbesim “fjalë e përtërirë” dhe “tërësi e ëndërrave për të nesërmen”- sinjalizon me të drejtë poeti, sepse “më i shejti diell/ është dielli që digjet në zemër!” (Shpirt i paepur, fq. 99-100).
Rrënjët e thella të mbijetesës
Kështu, pavarësisht nga prapësitë dinake që koha i shtroi nën këmbët e fatit tonë, da-shuria për dritë është e vulosur në shpirtin e paepur e të etur të shqiptarit. Kjo ndjenjë e fuqishme dhe e pashuar, është busolla përmes së cilës, një ditë, edhe të humburit do ta gjejnë rrugën e diellit. Dashuria ndaj dritës, agut të pashuar, lirisë, nuk është vetëm një ndjenjë. Ajo është lajtmotiv i veprës, është zgjim krijues, zgjim që përtërinë çdo gjë, madje edhe vetë qëndresën. Sepse dhembja që mbijetohet “duke e gëlltitur lotin e plasur, përpëlitjeve kur nuk del fjala” (Kasneci i zgjimit, fq. 101), është zgjim që thërret qëndresën “për të zgjuar kohën e fjetur/ mëngjeset të mos vriten në pabesi” (po aty). Me cuklat e shpresës, zogu i këngës e hap shtegun e guximit dhe fluturon qiellit të këngës, për të hapur vrimën e cicërimës së lirë:
…”duke mundur heshtjen e lidhur
lëmsh në fyt
nga vdekja e përpirë…”
(Zogu i këngës, fq. 102).
Kjo nuk është kënga e heshtjes. Është kënga e mbijetesës së vështirë, por të bukur. Ajo është kënga që ka përpirë vdekjen, të lidhur lëmsh në fyt, duke e mundur heshtjen.
Ky është feniksi shqiptar. Atëherë kur armiqtë presin të shkatërrohet, të përfundojë përgjithmonë, ai e përpin vdekjen dhe mbijeton. “Se gjallë na kishte mbajtur/ një fitil i pashuar kënge”- thotë poeti, sepse “damarëve të jetës së ndrydhur /orakujt mbollën ca vargje” (Mbijetesa, fq. 103). Pra, në djepin e bukur të këngës që mposht dhembjet, ngrihet kulla e qëndresës sonë. Kjo përkon me kulturën dhe mendimin historik të popullit shqiptar. Kënga dhe pushka kanë qenë kurdoherë të ndërlidhura në jetën e tij. Kënga e mbijetonte dhembjen, ndërsa pushka qe shndërruar në gjymtyrë.
Doemos, poeti ka të drejtë kur thotë se kështu u ngrit shkalla e parë e guximit. Guxi-min qytetar e ushqeu prore një këngë e vuajtur, e përndjekur, por kurrë e heshtur e lirisë. Me këngë jemi rritur, me këngë kemi mbijetuar. Me këngë e kemi ruajtur edhe gjuhën e shenjtë shqipe. Kënga e poetit është këngë e mbijetesës, këngë që nuk heshti as kur dhembjet apo furtunat e çmendura të dhunës e përgjakën (Zogu i këngës, fq. 102). Sepse ajo është këngë e etjes së madhe për liri, është gjuha e rrjedhës së na-tyrshme që flet “me njomësinë e ringjalljes së ngadalshme, por të sigurtë”, që krijon gjollin e vet edhe aty ku nuk rrjedh syri, përtej digave të liga të thatësisë, që të “ për-tërijë bimën/ e mbetur peng/ në shkretërirën e heshtjes!”(Gjuha e ujit, fq. 106-109).
Është etja jonë që rrjedhë me simbolikën e ujit dhe “flet me begatinë e kristaltë/ e të tejdukshme/ të Rrjedhës së pa fund”. Uji është vetë jeta, shpresa, dëshira, përtërirja, krijimi, “fjala kryesore në vijën transformuese të bukurisë”, është mbijetesa. Sepse:
…”Vetëtimat e ngjeshura nga etjet
janë dalldisjet e plasura të durimit
për freskinë që mungon
hapësirave të djegura!”…
(Ghuha e ujit, fq. 106-109).
Geni i mbijetesës është në gjakun tonë. Edhe përtej detit “gjymtyrë e mbajtur gjallë/ ende shqipton … mirëmbrëma shqip” dhe rrëfen “me thesarin e shpirtit/ origjinën e gjakut të vet”. Populli shqiptar nuk mund të shuhet. Ai i ngjanë vërtetë feniksit. Për poetin atdhetar, populli është “gjithçka e shenjtë që kemi”( Shpjegimi i një fjale, Prova e parë, fq. 75). Pavarësisht nga furtunat e liga të kohëve, ai diti ta ruaj tra-shëgiminë e pasur e të rrallë kulturore, identitetin dhe gjuhën, traditën dhe një mori thesaresh tjera të shpirtit e të mendimit. Është pikërisht kjo shtytja që poetin e bën të shpjegojë fjalën “popull”, përmes dymbëdhjetë provash, duke shfrytëzuar intenzivisht filozofinë e tij, për të sinjalizuar klasën politike që thirret në interesat vitale të tij apo që priret ta përfaqësojë, duke ua përkujtuar se:
…”Populli
i ngjanë fëmijës:
gëzohet me pak,
mashtrohet lehtë,
rrëzohet shpeshë
e ngrihet pyersëri,…
e kur durimi i shterron
nuk ndalet
pa e gërvishtur
fytyryen e prishur
të Kohës së Ligë!”...
(Shpjegimi i një fjale, Prova e dytë, fq. 76).
Duke i patur parasysh sprovat e shumta që i bëhen atij, poeti i shpjegon ato në formën e simbolikave krahasuese, brenda të cilave shtrohen shumëngjyrat e një kohe. I ba-llafaquar me sprova të shumta e të llojllojshme, shqiptaria i ngjanë hyjniut që duron e fal me devotshmëri, por kur nuk arrinë më të fal padrejtësinë, “qiell e dhe/ me një dorë i përpjek!” (Prova e pestë, fq. 79). Sepse populli është vetë kujtesa- thotë poeti. “Asgjë nuk harron/ edhe nëse hesht”. Andaj porositë: “Ruajuni mallkimit/ kur e shqi-pton/ me gjithë zemër!”( Prova e dhjetë, fq. 82).
Nuancat poetike shtresohen njëra pas tjetrës duke përdorur me sukses mjetet gjuhësore dhe stilistike. Populli i ngjanë tërmetit që zgjeron rrathët e pakënaqësisë “nëntokës së dhembjeve”, duke përgaditur në heshtje dridhjen e fuqishme që shembë mbretëritë; i ngjanë kulmit prej të cilit, ata që rrëzohen mbeten përgjithmonë të çalë; i ngjanë lisit që përballet me stuhitë, por i druhet sopatës që mbanë për bisht degën e tij; është si deti, nëpër të cilin “lundrojnë kusarët/ e s`i përmbyt/ derdhen lumejtë/ e i përpin/ lundrojnë peshkaqenët/ e nuk shihen/ mbarsen tufanet/ dhe sërish/ i zbraz në gji…”, të cilit mund t`i dalësh në çdo anë, por “s`i shihet bregu!” (Prova e tetë, fq. 77).
Rrënjët e mbijetesës janë pikërisht në gjirin e tij. Çdo përpjekje, çdo sakrificë e bijve dhe bijave të tij më të denjë, e shtresave të ndërgjegjshme, ndërlidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e tij. “Populli është ëndërra e bukur e të nesërmes”- thotë poeti- “është gjaku i shenjtë i lirisë/ që nuk guxon të shkilet” (Prova e parafundit, fq. 83). Kush është ai që guxon të nëpërkëmbë të drejtat dhe interesat e tij, tingëllon më në fund zëri qortues dhe paralajmërues i poetit, që vuan, shkruan, e nuk flë, deri sa të gdhijë “Agu që nuk ngryset”; që i lufton të gjithë “orakujt e shëmtisë”; që interpreton çdo zbehtësi të kohës sonë; që fshikullon çdo padrejtësi; që pikëzon çdo njollë të zezë dhe i fshinë nga tryeza e ditëve, për hirë të së ardhmes së ndritur të kombit shqiptar.
Përmbyllje
Përmbyllja e udhëtimit brenda kohëve të baraspeshës së humbur, shtrihet në prehrin e një dashurie të pa fund, për kombin shqiptar, të ardhmen e tij, fjalën e bukur poetike, të vërtetën, lirinë dhe të mirën e brezave që do të vijnë. Poeti e ndien të lumtur veten, se të paktën, me penën e tij, e ka “mbrojtur të vërtetën”, duke mos e thyer kurrë besën e shenjtë të Atdheut, madje “as në ditët më të liga/ kur s`më përfillej fjala!” (Besë e pathyer, fq. 113/114). Përkundër të gjitha përpëlitjeve, poetin e gëzon fakti që do të jetë baltë e pluhur nën këmbët e brezave, që shqip do të flasin, ndërsa me kockën e tij, të gjetur në shesh, nipi i stërnipit do të gugasë “si një pëllumb i bardhë, ... duke thyer lëvozhgën/ e dashurisë së pafund” ( Dashuri e pafund, fq. 119).
Në qoftë se kohës i ka humbur baraspesha, ekuilibri, kualiteti, poeti ndjehet mjaft i qetë në brendinë e fjalëve të veta, sepse ka mbrojtur kurdoherë të vërtetën, drejtësinë, pastërtinë, lirinë, gjuhën dhe kulturën e popullit të vet. Ndonëse kjo është e mbushur përplot me dhembje, dinjiteti nuk ka humbur asnjë cent. Vargu i këtij libri mbetet dë-shmi e veçantë e kohës, një këndvështrim poashtu i veçantë i realitetit jetik të shqipta-rit, sikurse një pasuri e çmuar letrare dhe ideo-estetike.
E mbushur përplot me dhembje, me porosi e ndjenja, me figuracion të dendur që fillon nga metaforat e shumta e të goditura, deri te simboli, alegoria, personifikimi, sarkazmi dhe ironia, libri poetik “Baraspesha e humbur” i poetit Brahim Avdyli dëshmohet si pasurim i mëtutjeshëm i opusit krijues të poetit dhe i letërsisë shqipe.
24 dhjetor 2008, Zvicër |